Sindikatat e Pavarura të Kosovës, më vonë Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (shkurt BSPK), si asociacion jopartiak, u themelua në periudhën e vlimeve të mëdha politike, mu atëherë kur bëhej fjalë për rrënimin e autonomisë së Kosovës dhe kërcënimet serioze të qenies shqiptare në trevat etnike brenda kufijve të shtetit jugosllav. Në atë periudhë kohore, zhvillimet politike ishin të atilla, saqë të drejtat e punëtorëve ishin vetëm një segment i të drejtave që po i humbiste populli shqiptar i Kosovës, prandaj, në rradhë të parë, nevojë imediate e kohës ishte mbrojtja e qenies kombëtare. Konform këtyre zhvillimeve misioni i këtij subjekti sindikal ishte mbrojtja e identitetit kombëtar në kuadër të së cilës do të bëhej mbrojtja e së drejtës për punë.
Pra mbështetur në keto, mund të thuhet se BSPK-ja asokohe kishte ngjyrime politike, për çfarë e dokumenton edhe motoja e përherëshme e kësaj sindikate me slloganin: "Pa Liri Kombëtare, nuk ka as Liri Sindikale". Edhe pse tubimi i parë i veprimtarisë sindikale u mbajt në objektin e Institutit Albanologjik të Prishtinës, ku edhe u zgjodh Këshilli Nismëtar, BSPK si subjekt sindikal u formësua në Kongresin e Parë, i cili u mbajt në Pallatin e Kulturës të qytetit në Gjakovë, duke filluar me punime me 30.06.1990 e deri me 01.07.1990, me pjesmarrjen e rreth 600 delegatëve, me ç'rast Hajrullah Gorani u zgjodh Kryetar, i cili edhe njihet si kryetar i parë i sindikatave të Kosovës.
Sipas vendimeve të këtij Kongresi po ashtu me aklamacion, u zgjodh një trup punues me emertimin "Këshilli Koordinues", që në fakt e përbënin anëtarë nga lista e Këshillit nismëtar dhe për detyrë kishin themelimin e degevë sindikale. Ky këshill luajti rolin e Kryesisë së BSPK-së deri në Kuvendin e Parë zgjedhor. BSPK-ja si asociacion sindikal, me aktivitetet e veta do t'u prijë të gjitha zhvillimeve politike që ndodhen ne atë periudhë, siç është shpallja e Deklaratës Kushtetuese me 2 korrik 1990, ndërsa pas grevës së 3 shtatorit 1990, delegatët e Kuvendit të Kosovës do ta miratojnë me 7 shtator 1990, ne Kaçanik edhe Kushtetutën e Parë të Republikës së Kosovës.
Pos kësaj BSPK-ja do të ketë një rol të rëndësishëm edhe në zhvillimet e tjera politike. Veprimtarët sindikalë dhanë kontribut të çmuar edhe në luftën për çlirimin e Kosovës, duke u inkuadruar në Ushtrinë ?‡lirimtare të saj, e që ndër të parët u radhit Hamzë Jashari, i cili më herët ishte edhe anëtar i Kryesisë së Sindikatës së Pavarur të Metalistëve të Kosoves. BSPK-ja edhe pas çlirimit do të luaj një rol të fuqishëm, veçanërisht në rindërtimin dhe zhvillimin e të gjitha segmenteve per formësimin e shtetit të Kosoves.