Një historik i shkurtë. Sindikatat e Pavarura të Kosovës, më vonë Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (shkurt BSPK), si asociacion jopartiak, u themelua në periudhën e vlimeve të mëdha politike, mu atëherë kur bëhej fjalë për rrënimin e autonomisë së Kosovës dhe kërcënimet serioze të qenies shqiptare në trevat etnike brenda kufijve të shtetit jugosllav. Në atë periudhë kohore, zhvillimet politike ishin të atilla, saqë të drejtat e punëtorëve ishin vetëm një segment i të drejtave që po i humbiste populli shqiptar i Kosovës, prandaj, në rradhë të parë, nevojë imediate e kohës ishte mbrojtja e qenies kombëtare. Konform këtyre zhvillimeve misioni i këtij subjekti sindikal ishte mbrojtja e identitetit kombëtar në kuadër të së cilës do të bëhej mbrojtja e së drejtës për punë.

Pra mbështetur në keto, mund të thuhet se BSPK-ja asokohe kishte ngjyrime politike, për çfarë e dokumenton edhe motoja e përherëshme e kësaj sindikate me slloganin: "Pa Liri Kombëtare, nuk ka as Liri Sindikale". Edhe pse tubimi i parë i veprimtarisë sindikale u mbajt në objektin e Institutit Albanologjik të Prishtinës, ku edhe u zgjodh Këshilli Nismëtar, BSPK si subjekt sindikal u formësua në Kongresin e Parë, i cili u mbajt në Pallatin e Kulturës të qytetit në Gjakovë, duke filluar me punime me 30.06.1990 e deri me 01.07.1990, me pjesmarrjen e rreth 600 delegatëve, me ç'rast Hajrullah Gorani u zgjodh Kryetar, i cili edhe njihet si kryetar i parë i sindikatave të Kosovës.

Sipas vendimeve të këtij Kongresi po ashtu me aklamacion, u zgjodh një trup punues me emertimin "Këshilli Koordinues", që në fakt e përbënin anëtarë nga lista e Këshillit nismëtar dhe për detyrë kishin themelimin e degevë sindikale. Ky këshill luajti rolin e Kryesisë së BSPK-së deri në Kuvendin e Parë zgjedhor. BSPK-ja si asociacion sindikal, me aktivitetet e veta do t'u prijë të gjitha zhvillimeve politike që ndodhen ne atë periudhë, siç është shpallja e Deklaratës Kushtetuese me 2 korrik 1990, ndërsa pas grevës së 3 shtatorit 1990, delegatët e Kuvendit të Kosovës do ta miratojnë me 7 shtator 1990, ne Kaçanik edhe Kushtetutën e Parë të Republikës së Kosovës.

Pos kësaj BSPK-ja do të ketë një rol të rëndësishëm edhe në zhvillimet e tjera politike. Veprimtarët sindikalë dhanë kontribut të çmuar edhe në luftën për çlirimin e Kosovës, duke u inkuadruar në Ushtrinë ?‡lirimtare të saj, e që ndër të parët u radhit Hamzë Jashari, i cili më herët ishte edhe anëtar i Kryesisë së Sindikatës së Pavarur të Metalistëve të Kosoves. BSPK-ja edhe pas çlirimit do të luaj një rol të fuqishëm, veçanërisht në rindërtimin dhe zhvillimin e të gjitha segmenteve per formësimin e shtetit të Kosoves.

Haxhi Arifi - Kryetar
Qershor 2010

Prioritetet e BSPK-së Faqja në Përpunim e sipër.

 

 

 

 

 

 

 

 

  • organigrammm

STATUTI I BASHKIMIT TË SINDIKATAVE TË PAVARURA TË KOSOVËS

Parimet e përgjithshme

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (në tekstin e mëtejshëm BSPK ) është themeluar më 1990. BSPK-ja është organizatë e  bashkuar e sindikatave të pavarura të Kosovës vullnetarisht të anëtarësuara  në BSPK, me qëllim të mbrojtjes  dhe realizimit të drejtave dhe lirive sindikale të anëtarëve të tyre. BSPK-ja, në kushtet e pluralizmit demokratik, zbatimit të reformave ekonomike dhe të një ekonomie të tregut, angazhohet për krijimin e një shoqërie pa korrupsion, pa privilegje dhe diskriminim, pa marrë parasysh përkatësinë kombëtare, racore,gjinore,sociale, bindjeve fetare, politike, etj.

BSPK-ja, veprimtarinë e vet e zhvillon pavarur ndaj Qeverisë dhe institucioneve tjera të Kosovës. Ajo lufton për realizimin e marrëveshjeve kolektive, sigurinë materiale, sociale dhe juridike , kushteve të punës dhe jetës dhe nevojave të tjera të të punësuarve, mbrojtjes nga diskriminimi nëpërmjet të aksioneve sindikale, gjithnjë në frymën demokratike, unitetit sindikal, tolerancës mirëkuptimit dhe dialogut të barabartë me partnerët social. BSPK-ja, angazhohet për realizimin e programit të vet, përmes strukturave të veta dhe platformave social-ekonomike. BSPK-ja, angazhohet për zhvillimin e gjithmbarshëm ekonomik dhe shoqëror të Kosovës, duke bashkëpunuar me Qeverinë, punëdhënësit ,sindikatat kombëtare dhe ndërkombëtare dhe organizmat e institucionet tjera të vullnetit të mirë.

BSPK-ja i pranon dhe respekton Konventat ndërkombëtare të ONP-se,  për punë dhe të drejtat e obligimet që rrjedhin prej tyre, veçanërisht Deklaratën universale të të drejtave të njeriut.
BSPK -ja, synon në ngritjen, emancipimin, vetëdijen dhe arsimimin e anëtarësisë.

BSPK-ja, bashkëpunon me organet shtetërore, institucionet dhe subjektet  tjera dhe përkrah synimet e popullit dhe anëtarësisë për Kosovën Shtet Sovran dhe të Pavarur për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Andaj, duke u bazuar në aktin më të lartë juridiko-politik të Kosovës, Konventat ndërkombëtare të Punës (nr. 87 dhe 98), Ligjin për të drejtat dhe liritë sindikale në Kosovë, Statutin e Konfederatës Botërore të Sindikatave të Lira (ICFTU), nevojën për reforma në BSPK, Kongresi i VI-të  BSPK-së më datën 02.12.2011, miratoi:

 

STATUTIN E BASHKIMIT TË SINDIKATAVE TË PAVARURA TË KOSOVËS



Kuptimi dhe qëllimi


Neni 1

 

1.   Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) është Konfederatë e Sindikatave/Federatave, vullnetarisht të anëtarësuara dhe të organizuara sipas veprimtarive ekonomike dhe profesionale.

2.    Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) përfaqëson interesat e përbashkëta ekonomike, sociale dhe kulturore të të punësuarve, të anëtarësuar në Sindikatat/Federatat sindikale, anëtare të saj.

3.    Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) është e pavarur nga Qeveria, organizatat e punëdhënësve dhe partitë politike.

4.    Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) gëzon të drejtën e anëtarësimit në Organizata Ndërkombëtare Sindikale.

5.    Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) promovon parimet e të drejtës sociale e demokratike, respektimin e standardeve ndërkombëtare duke insistuar në ratifikimin dhe implementimin e Konventave të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), Rezolutat Sociale të Evropës, si dhe në respektimin e të drejtave njerëzore dhe sindikale.

 
Neni 2
 

1.    Emërtimi i plotë i organizatës është: “Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës”.

2.    Shkurtesa e saj është: “BSPK”.

3.    Në komunikimin ndërkombëtar BSPK-ë shfrytëzon emërtimin në gjuhën angleze “The Union of Independent Unions of  Kosovo”.

4.    Selia e BSPK-së është në adresën: Rr. “Nëna Terezë”, Nr. 35, 10 000 Prishtinë, Kosovë.

5.    BSPK-ë ka statusin e personit juridik, me status kushtetues ligjor të posaçëm (organizatë Sui-generis).



Neni 3
 

1.   BSPK-ë ka emblemën e vet, në formë katërkëndëshi, me kombinim të ngjyrave të verdhës, të kuqës dhe të zezës. Përmbi emblemën qëndron mbishkrimi me shkurtesën BSPK.

2.    BSPK-ë ka flamurin e vet, i cili përmban emblemën me prapavijë të bardhë.

3.    BSPK-ë ka vulën e rrumbullakët, me emërtimin e plotë dhe selinë.

4.    Teksti në vulën e BSPK-së shkruhet në gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës.

5.    BSPK-ë ka vulën në formë të katërkëndëshit me emërtimin e plotë të BSPK-së dhe selinë e saj e cila shërben për evidentimin e shkresave zyrtare.

Sindikatat/Federatat anëtare të BSPK-së, në shkresat zyratre obligohen që së bashku më emblemën e tyre t’a përdorin edhe emblemën e BSPK-së.



Neni 4

 

Qëllimet e BSPK-së

 

 

1.    BSPK-ë ushtron veprimtarinë e saj për një shoqëri në të cilën të gjithë të punësuarit dhe qytetarët, do të gëzojnë të drejtë në punë dhe jetë dinjitoze, realizimin dhe mbrojtjen e interesave ekonomike, sociale, edukative dhe kulturore, e në veçanti: 

Respektimin e të drejtave themelore të të punësuarve;

 

  • Zhvillimin e dialogut social në nivel vendi;
  • Hartimin, negocimin, nënshkrimin dhe implementimin e marrëveshjeve kolektive në nivel vendi;
  • Promovimin e politikave për krijimin e kushteve dinjitoze për punë, për të gjithë të punësuarit;
  • Angazhimin për zhvillimin e sistemit të përgjithshëm të sigurimit social në të cilin do të kenë qasje të gjithë të punësuarit;
  • Angazhimin për eliminimin e çdo lloj diskriminimi nga marrëdhënia e punës;
  • Angazhimin për legjislacion bashkëkohorë që sanksionon dhe mbron të drejtat e punëtorëve duke bërë propozime konkrete pranë organeve ligjdhënëse;
  • Rregullimin e raporteve ndërsindikale, si dhe zgjidhjen e konflikteve eventuale me qëllim të forcimit të unitetit dhe fuqisë sindikale;
  • Bashkëpunimin reciprok me Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe organizatat e punëdhënësve në kuadër të partneritetit në nivel vendi.


Neni 5

 

Përgjegjësitë e BSPK-së

 

 

1.    BSPK-ë është përgjegjëse për:

 

  • Përfaqësimin e interesave të përbashkëta të anëtarësisë së saj;
  • Udhëheqjen e dialogut social në nivel vendi;
  • Promovimin e sindikalizmit si formë e organizimit të lirë të të punësuarve, për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të tyre;
  •  Koordinimin e anëtareve lidhur me çështjet e përbashkëta;
  • Ofrimin e mbështetjes për anëtarët të saj;
  • Përfaqësimin e anëtarëve në negociata dhe diskutimet me të gjitha organet dhe institucionet relevante të interesit;
  • Përfaqësimin në organizatat ndërkombëtare në të cilat BSPK-ja është e anëtarësuar dhe ku mund t’i shpreh qëndrimet e veta, si dhe ti mbrojë interesat e anëtarësisë së saj.



Neni 6

 

Format e veprimit dhe presionit sindikal

 

1.    Për realizimin e qëllimeve të veta BSPK-ë përdorë të gjitha format ligjore të veprimit sindikal, siç janë:

 

  • Dialogimi me partnerët social;
  • Hartimin, negocimin dhe nënshkrimin e Marrëveshjes Kolektive në nivel vendi;
  • Informimin e drejtë dhe të vazhdueshëm për të gjithë të punësuarit;
  • Ndërmerre aktivitete adekuate solidare, në pajtim me programin dhe Statutin e vet;
  • Protesta;
  • Greva.



Neni 7

 

Qëllimet kryesore të veprimtarisë së BSPK-së janë:
 

1.    Greva është mjeti i fundit i presionit sindikal dhe organizohet kur dështojnë të gjitha përpjekjet për zgjedhjen e konfliktit me mjete tjera ligjore.

2.    I gjithë organizimi dhe rrjedha e grevës bëhet sipas Ligjit mbi Grevat i Republikës së Kosovës.


Neni 8

 

Anëtarësia

 

1.    BSPK-ja është organizim sindikal në nivel konfederate, që përfaqëson organizimet sindikale në nivel vendi.

2.    Anëtare të BSPK-së janë Sindikatat/Federatat, të cilat përfaqësojnë punëtorët në bazë të sektorit dhe profesionit të caktuar.

3.    Një organizatë sindikale në nivel të Sindikatës/Federatës, mund të jetë anëtare e BSPK-së vetëm me përmbushjen e kritereve të Statutit të BSPK-së.

4.    Anëtarësimi në BSPK-ë bëhet sipas vullnetit të lirë të Sindikatave/Federatave, duke respektuar vendimet e organeve përfaqësuese të tyre.



Neni 9

 

Kushtet e anëtarësimit në BSPK

 

Për tu anëtarësuar në BSPK-ë Sindikata/Federata duhet t`i plotësojnë këto kushte:

1.Vendimin e organit më të lartë vendimmarrës;

2.Statuti i Sindikatës/Federatës duhet të jetë i harmonizuar me dispozitat e Statutit të BSPK-së;

3.Numri i anëtarëve të Sindikatës/Federatës duhet të jetë së paku 500 (pesëqind) sipas deklaratave të plotësuara për anëtarësim dhe dëshmitë për pagesën e kuotës;

4.Statusin e anëtarit në cilësinë e vëzhguesit në Këshillin Drejtues dhe Kryesinë Ekzekutive, do ta gëzojnë subjektet sindikale të cilat kanë më pak se 500 (pesëqind) anëtarë dhe të cilët paguajnë me rregull kuotën e anëtarësisë, ndërsa të njëjtit kanë të drejtën e përfaqësimit në Kongresin e BSPK-së vetëm me Kryetarin e Sindikatës;

5.Pranimi i Sindikatave/Federatave në BSPK-ë bëhet me përmbushjen e kritereve  nga paragrafët 1, 2, 3 dhe 4 të këtij neni. Konstatimin për përmbushjen e këtyre kritereve e bënë Kryesia Ekzekutive, ndërsa vendimin e merr Këshilli Drejtues i BSPK-së;

6.Pala e pakënaqur mund të parashtron ankesë pranë Këshillit Drejtues, si organ i shkallës së dytë, në afatin prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditësh nga dita e dorëzimit të vendimit.



Neni 10

 

Të drejtat dhe obligimet e anëtarëve të BSPK-së

 

1.    Të drejtat e anëtarëve të BSPK-së janë:

a.       Të përfaqësohen në të gjitha organet e BSPK-së, sipas kritereve të parapara me këtë Statut;

b.      Të iniciojnë veprime sindikale sipas procedurave të parapara me Statut;

c.       Të mbrojë autonominë e tyre në përputhje me dispozitat e këtij Statuti;

d.      Të drejtën e ndihmës profesionale nga BSPK-ja.

 

2. Sindikatat/Federatat, anëtare të BSPK-së, kanë këto obligime:

a.  Të paguajnë rregullisht kuotën e anëtarësisë sindikale në BSPK-ë, në

lartësinë prej 10% në muaj, nga totali i anëtarësisë së

Sindikatave/Federatave;

b.   Shlyerja e të gjitha borxheve financiare ndaj BSPK-së, duhet të bëhet deri

në fund të çdo viti kalendarik;

c.   Të zbatojnë vendimet e organeve të BSPK-së.



Neni 11


Largimi i Sindikatave/Federatave nga BSPK-ja

 

1.Sindikatat/Federatat humbin statusin e anëtarit të BSPK-së, për këto arsye:

a.    Në rast të shkeljes së parimeve themelore të këtij Statuti;

b.    Anëtarësimi i dyfishtë edhe në ndonjë Konfederatë tjetër në nivel vendi;

c.    Për mospagesën e anëtarësisë prej 3 (tre) muajsh radhazi ose gjatë një viti kalendarik.

2.Detyrimet që rrjedhin nga dispozitat e këtij Statuti nuk do të pushojnë, derisa të përfundojë procedura sipas Nenit 10, paragrafi 2, pikat b dhe c;

3.  Propozimin për heqjen e të drejtës së anëtarit të BSPK-së e jep Kryesia Ekzekutive, ndërsa vendimin e merr Këshilli Drejtues i BSPK-së.




Neni 12


Organizimi regjional i BSPK-së

 

1.    Këshilli Drejtues formon Zyrat Regjionale varësisht me nevojat, mundësitë dhe interesat e anëtarësisë sindikale.

2.    Puna e Zyrave Regjionale do të rregullohet me akt të veçantë juridik, të cilin e nxjerrë Këshilli Drejtues i BSPK-së.

3.    Zyrat Regjionale shtrihen në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

4.    Koordinatori i Zyrave Regjionale emërohet nga Kryetari i BSPK-së, me propozimin paraprak nga Shoqatat Sindikale të regjionit përkatës.

5.    Shkarkimi i Koordinatorit të Zyrave Regjionale bëhet nga Kryetari i BSPK-së.


Neni 13


Rrjeti i Gruas i BSPK-së

 

1.    Rrjeti Gruas i BSPK-së është strukturë organizative e BSPK-së;

2.    Rrjeti i Gruas  është bartës i projekteve me rëndësi të veçantë gjinore dhe përbëhet nga delegatet të cilat përfaqësojnë anëtaret e Sindikatave-Federatave;

3.    Zgjedhja e delegateve dhe funksioni i Rrjetit të Gruas bëhet sipas mënyrës të përcaktuar me Rregulloren e Punës të Rrjetit të Gruas;

4.    Kriteret për përfaqësim në Kuvendin e Rrjetit të Gruas i cakton Këshilli Drejtues i BSPK-së;

5.    Kryetarja e Rrjetit të Gruas, në bazë të funksionit është anëtare me të drejta të plota në Kongres, Këshillin Drejtues dhe në Kryesinë Ekzekutive të BSPK-së;

6.    Me qëllim të realizimit të objektivave të veta dhe funksionimit të tij, Rrjeti i Gruas do të gëzojë mjete financiare, e cila do të rregullohet me aktin juridik mbi menaxhimin e financave të BSPK-së.



Neni 14


Rrjeti i të Rinjëve i BSPK-së

 

1.    Rrjeti i të Rinjve është strukturë organizative e BSPK-së;

2.    Rrjeti i të rinjve të BSPK-së është kompetent për përfaqësimin e anëtarëve të moshës rinore të BSPK-së, deri në moshën 35 vjeçare;

3.    Rrjeti i të rinjve është bartës i projekteve me rëndësi të veçantë për të rinjtë, me qëllim të promovimit të rinisë në shoqëri;

4.    Rrjeti i të rinjve përbëhet nga delegatët të cilat përfaqësojnë anëtaret e Sindikatave/Federatave;

5.    Kriteret për përfaqësim në Kuvendin e Rrjetit të të Rinjve i cakton Këshilli Drejtues i BSPK-së;

6.    Zgjedhja e delegateve dhe funksioni i Rrjetit të të Rinjve bëhet sipas mënyrës të përcaktuar me Rregulloren e Punës të Rrjetit të të Rinjve;

7.    Kryetari/ja i Rrjetit të të Rinjve, në bazë të funksionit është anëtar me të drejta të plota në Kongres, Këshillin Drejtues dhe Kryesinë Ekzekutive të BSPK-së;

8.    Me qëllim të realizimit të objektivave të veta dhe funksionimit të tij, Rrjeti i të Rinjve do të gëzojë mjete financiare, e cila do të rregullohet me aktin juridik mbi menaxhimin e financave të BSPK-së.



Neni 15

Organet e BSPK-së

 

Organet e BSPK-së janë:

Kongresi i BSPK-së;

Këshilli Drejtues i BSPK-së;

Kryesia Ekzekutive e BSPK-së;

Kryetari i BSPK-së

Organet e BSPK-së zgjedhën në mënyrë demokratike nga poshtë lartë, japin llogari para zgjedhësve të tyre dhe janë të revokueshëm nga ata.



Neni 16


Kongresi i BSPK-së

 

1.Kongresi është organi më i lartë i BSPK-së;

2.Kongresi mblidhet një herë në 5 (pesë) vite;

3.Vendimin për thirrjen e Kongresit e merr Këshilli Drejtues me shumicë votash, së paku dy muaj para mbajtjes së tij;

4.Kongresi zhvillon punimet nëse prezantojnë 2/3 nga numri i përgjithshëm i delegatëve;

5.Statusin e delegatit në Kongresin e BSPK-së sipas funksionit e kanë anëtaret e Kryesisë Ekzekutive të BSPK-së dhe Koordinatorët e Zyrave Regjionale të BSPK-së.

6.Statusin e delegatit në Kongresin e BSPK-së e kanë përfaqësuesit e Sindikatave/Federatave, të zgjedhur në organin vendimmarrës përkatës të tyre, sipas çelësit në çdo 300 (treqind) anëtarë plus një delegat;

7.Vendimet në Kongres merren me shumicë të thjeshtë votash nga delegatët e pranishëm, ndërsa për formën e votimit vendoset në Kongres;

8.Para çdo votimi, Kryesia e Punës së Kongresit duhet të konstatojë kuorumin, ku për vendimmarrje nevojiten 50%+1 i delegatëve të pranishëm, nga numri i përgjithshëm i delegatëve të Kongresit, sipas paragrafit 4 të këtij neni.



Neni 17  


Detyrat e Kongresit janë:

 

1.Përcakton drejtimet kryesore të politikës sindikale dhe programin e BSPK-së për periudhën e ardhshme 5 (pesë) vjeçare,

2.Miraton rezoluta për çështje të veçanta të lëvizjes sindikale,

3.Miraton Statutin e BSPK-së, me ndryshimet dhe plotësimet e tij,

4.Miraton Rregulloren e punës së Kongresit,

5.Shqyrton dhe miraton raportet e trupave punuese të BSPK-së, në mes të dy Kongreseve;

6.Zgjedhë Kryetarin e BSPK-së me 50%+1 të votave të delegatëve prezent;

7.Kryetari i deritanishëm i BSPK-së, të cilit i ka përfunduar mandati, duhet të paguhet edhe për gjashtë (6) muaj tjerë, me 70% të pagës së deritanishme;

8.U jep mirënjohje anëtarëve të BSPK-së;

 

9.Brenda periudhës 30 ditësh nga dita e mbajtjes së Kongresit, duhet të mbahen të gjitha mbledhjet konstitutive të të gjitha organeve të BSPK-së.

 



Neni 18


Kongresi i Jashtëzakonshëm

 

Të drejtën për thirrjen e Kongresit të Jashtëzakonshëm e kanë:

1.Kryetari i BSPK-së;

2.Këshilli Drejtues mund të vendosë thirrjen e Kongresit të Jashtëzakonshëm me kërkesën dhe nënshkrimin e 2/3 nga numri i përgjithshëm i anëtarëve;

3.Këshilli Drejtues duhet të përgatisë dokumentet e nevojshme për mbajtjen e Kongresit të Jashtëzakonshëm;

4.Kongresi i Jashtëzakonshëm thirret së paku një muaj para mbajtjes së tij.

 



Neni 19


Këshilli Drejtues i BSPK-së


1.Këshilli Drejtues është organi më i lartë në mes dy Kongreseve;

2Këshilli Drejtues thirret së paku një herë në vit;

3.Këshillin Drejtues e përbëjnë:

 

  • Kryetari dhe Nënkryetarët e BSPK-së,
  • Kryetari dhe Nënkryetarët të Këshillit Drejtues të BSPK-së,
  • Kryetarët e Sindikatave/Federatave,
  • Kryetarja e RrG dhe Kryetari-ja i RrR të BSPK-së,
  • Koordinatorët e Zyreve Regjionale të BSPK-së,
  • Në çdo 1000 (një mijë) anëtarë Sindikatat/Federatat përfaqësohen edhe me plus një anëtar.

4.Këshilli Drejtues i BSPK-së në mbledhjen e vet konstituive zgjedhë Kryetarin dhe Nënkryetarët e Këshillit Drejtues;

5.Deri në zgjedhjen e Kryetarit të Këshillit Drejtues, mbledhjen e drejton Kryetari i BSPK-së.


Neni 20


Kryetari i Këshillit Drejtues të BSPK-së

 

Kryetari i Këshillit Drejtues të BSPK-së ka këto kompetenca dhe detyrime:

1.Thërret mbledhjet e rregullta të Këshillit Drejtues në konsultim me Kryetarin e BSPK-së, në pajtim me dispozitat e këtij Statuti;

2.Udhëheqë mbledhjet e Këshillit Drejtues dhe kujdeset për mbarëvajtjen e tyre;

3.Thërret mbledhjet e jashtëzakonshme të Këshillit Drejtues, në të gjitha rastet kur përmbushen kushtet e parapara me nenin 23 të Statutit të BSPK-së;

4.Kujdeset për zbatim të drejtë të Rregullores së Punës të Këshillit Drejtues të BSPK-së.



Neni 21

 

1.Këshilli Drejtues ka kuorum nëse prezantojnë 50%+1 e numrit të përgjithshëm të anëtarëve;

2.Këshilli Drejtues merr vendime, me votimin e shumicës së anëtarëve të pranishëm;

3.Këshilli Drejtues ka kompetencën e menaxhimit dhe planifikimit të mjeteve financiare, si dhe të pasurisë të luajtshme dhe paluajtshme  të BSPK-së;

4.Këshilli Drejtues thirret me kërkesën e Kryetarit të BSPK-së.

 

 


Neni 22

Kompetencat e Këshillit Drejtues të BSPK-së

 

 

1.Zbaton vendimet e Kongresit;

2.Organizon dhe drejton veprimtarinë sindikale të BSPK-së;

3.Zgjedhë Nënkryetarët e BSPK-së me shumicë votash të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të Këshillit Drejtues, për një periudhë 5 (pesë) vjeçare me të drejtë rizgjedhje;

4.Për shkarkimin e Nënkryetarëve të BSPK-së, duhet të votojnë 2/3 e numrit të përgjithshëm të anëtarëve të Këshillit Drejtues të BSPK-së;

5.Në rastet kur pozita e Kryetarit të BSPK-së, për arsye të ndryshme mbetet vakante, Këshilli Drejtues me votimin e 2/3 nga numri i delegatëve të pranishëm, mundet që njërin Nënkryetar ta emërojë si ushtrues të detyrës së Kryetarit të BSPK-së deri në Kongresin e radhës, më së largu për një periudhë kohore prej 3 muajsh;

6.Miraton buxhetin vjetor të BSPK-së, konform kërkesave për vitin e ri kalendarik,

7.Shqyrton dhe miraton planin dhe Raportin e Punës të BSPK-së;

8.Shqyrton dhe miraton Raportin financiar të BSPK-së;

9.Vendos për thirrjen e Kongresit dhe kryen punët përgatitore;

10.Vendos dhe shpallë zgjedhjet në të gjitha strukturat dhe nivelet e BSPK-së,

11.Zgjedhë dhe shkarkon anëtarët e Komisionit për Revizion dhe Kontroll Financiare të BSPK-së;

12.Zgjedhë dhe shkarkon anëtarët e Komisionit Statutar të BSPK-së;

13.Zgjedhë dhe shkarkon anëtarët e Komisionit për Zgjidhjen e Kontesteve të BSPK-së;

14.Zgjedhë dhe shkarkon anëtarët e Komisionit Disiplinor të BSPK-së;

15.Shqyrton dhe miraton raportet e punës së organeve të cilat i zgjedhë apo i legjitimon,

16.Vendos në shkallë të dytë sipas procedurë me ankesë për pranimin dhe largimin sindikatave të pavarura në BSPK,

17.Vendosë për grevën si formë e presionit sindikal,

18.Miraton Rregulloren e Punës të Këshillit Drejtues.



Neni 23


Këshilli Drejtues i Jashtëzakonshëm

 

 

1.Këshilli Drejtues i Jashtëzakonshëm thirret me kërkesën e Kryetarit të BSPK-së;

2.Këshilli Drejtues i Jashtëzakonshëm thirret me kërkesën e 2/3  e anëtarëve të Kryesisë Ekzekutive të BSPK-së;

 

3.Këshilli Drejtues i Jashtëzakonshëm thirret me kërkesën e 50%+1 e anëtareve të Këshillit Drejtues




Neni 24


Kryesia Ekzekutive e BSPK-së

 


1.Kryesia e BSPK-së është organ ekzekutiv i BSPK-së;

2.Anëtarë të Kryesisë së BSPK-së janë:

 

  • -Kryetari i BSPK-së,
  • -Nënkryetarët e BSPK-së,
  • -Kryetarët e Sindikatave/Federatave;
  • -Kryetari i KD-së,
  • -Kryetarja e RrG së BSPK-së dhe Kryetari-ja e RrR të BSPK-së.

3.Mbledhjet e Kryesisë Ekzekutive mbahen sipas nevojës së paraqitur në BSPK-ë, por të paktën një herë në muaj;

4.Mbledhja e Kryesisë Ekzekutive thirret me iniciativën e Kryetarit të BSPK-së, apo me kërkesën 50%+1 anëtarëve të saj, në afatin prej 15 ditësh nga dita e paraqitjes së kërkesës;

5.Mbledhjet e Kryesisë Ekzekutive i udhëheqë Kryetari i BSPK-së.

 


Neni 25


Detyrat e Kryesisë Ekzekutive të BSPK-së

 

 

1.Zbaton vendimet e Këshillit Drejtues të BSPK-së;

2.Përcjellë ecurinë e buxhetit dhe zbatimin e planit ekonomik dhe financiar;

3.Vendos për transaksione financiare në pajtim me linjat buxhetore te BSPK-se;

4.Harton planin financiar për periudhën vijuese;

5.Vendosë për krijimin e fondeve të caktuara;

6.Koordinon veprimet sindikale në të gjitha nivelet e organizimit sindikal;

7.Sipas nevojës formon trupa punuese;

8.Për punën e vet Kryesia Ekzekutive i përgjigjet dhe i raporton Këshillit Drejtues;

9.Nxjerrë vendime me interes për BSPK-në;

10.Merrë vendim për angazhimin e ndonjë eksperti nga lëmi e caktuar;

11.Mbikëqyrë Shërbimin Profesional të BSPK-së;

12.Vendosë për publikimet në BSPK-së;

13.Sipas nevojës formon trupa punuese;

14.Miraton Rregulloren e Punës të Kryesisë Ekzekutive të BSPK-së;

 

15.Kryen edhe punë tjera të cilat i’a delegon Këshilli Drejtues

 


Neni 26


Kryetari i BSPK-së

 

 

1.Kryetari është organi më i lartë përfaqësues i BSPK-së, i cili paraqet unitetin dhe bashkëveprimin institucional të anëtarëve të BSPK-së;

2.Kryetari i BSPK-së zgjidhet nga delegatët  e Kongresit të BSPK-së;

3.Kryetari i BSPK-së mund të shkarkohet nga funksioni, nga delegatët e Kongresit të BSPK-së edhe para skadimit të mandatit, në rastet e shkeljes të dispozitave të këtij Statuti;

4.Kryetari është funksionari më i lartë në BSPK-ë dhe udhëheqë me punën e Kryesisë Ekzekutive të BSPK-së;

5.Mandati i Kryetarit të BSPK-së është 5 (pesë) vjeçar, me të drejtë rizgjedhje;

6.Kandidati për Kryetar të BSPK-së, duhet të ketë mbështetjen e Sindikatës/Federatës reprezentues, si dhe mbështetjen e dy (2) Sindikatave/Federatave anëtare të BSPK-së;

7.Kandidati që paraqet kandidaturën e tij për Kryetar të BSPK-së, nuk mund të kandidojë në funksione tjera udhëheqëse të BSPK-së;

8.Kandidati për Kryetar të BSPK-së, krahas kandidimit duhet të paraqesë vizionin dhe programin e tij për BSPK-në në periudhën e ardhshme pesë vjeçare.

9.Në rast të vdekjes, pamundësisë së ushtrimit të postit apo në rrethanat të jashtëzakonshme, Kryetarin e BSPK-së do ta zëvendësojë njëri nga Nënkryetarët e BSPK-së, në pajtim me Nenin 22, paragrafi 5 i këtij Statuti.

 



Neni 27


Detyrat e Kryetarit të BSPK-së

 

 

1.    Përfaqëson dhe vepron në emër të BSPK-së brenda dhe jashtë vendit;

2.    Thërret dhe i udhëheqë mbledhjet e Kryesisë Ekzekutive, si dhe mbledhjet e Kongresit të BSPK-së deri në zgjedhjen Kryesisë e Punës;

3.    Për punën nga kompetenca e tij i përgjigjet Kongresit;

4.    Koordinon punët e organeve të BSPK-së që bien nën kompetencën e tij;

5.    Informon opinionin publik për veprimtarinë e BSPK-së;

6.    Nënshkruan akte të ndryshme juridike në emër të BSPK-së;

7.    Nënshkruan transaksione financiare në pajtim me linjat buxhetore të BSPK-së;

8.    Merrë vendime për çështjet urgjente të cilat nuk presin, dhe për të njëjtat informon Kryesinë Ekzekutive në mbledhjen e radhës;

9.    Kujdeset për zbatimin e detyrave që dalin nga organet e BSPK-së;

10. Sipas nevojës Kryetari mund të angazhoj një (1) plus një (1) Këshilltar Profesional për nevoja të tij dhe të BSPK-së;

11. Informon Kryesinë Ekzekutive lidhur me  vizitat dhe përfaqësimet e BSPK-së  brenda dhe jashtë vendit,

12. Zbaton vendimet e organeve të BSPK-së nga kompetenca e tij;

13. Lidhë kontrata nga marrëdhënia e punës me të punësuarit në Shërbimin Profesional të BSPK-së në bazë të autorizimit personal;

14. Kryen punë ditore me interes për BSPK-në;

15. Kryen punë të tjera për të cilat ngarkohet nga Kongresi i BSPK-së;

16. I raporton Kryesisë Ekzekutive dhe Këshillit Drejtues, ndërsa i përgjigjet Kongresit të BSPK-së.



Neni 28


Nënkryetarët e BSPK-së

 

 

1.    Nënkryetarët e BSPK-së zgjidhen nga Këshilli Drejtues;

2.    Nënkryetarët e BSPK-së zgjidhen me shumicë votash nga delegatët e pranishëm për një periudhë pesë vjeçar, me të drejtë rizgjedhje;

3.    Nënkryetarët mund të shkarkohet edhe para skadimit të mandatit, me votimin e 2/3 nga numri i përgjithshëm i anëtarëve të Këshillit Drejtues;

4.    Kandidatët për Nënkryetar të BSPK-së, duhet të kenë mbështetjen e Sindikatës/Federatës së vet reprezentative;

5.    Në rast se në procedurën e zgjedhjes janë të përfshirë më tepër se dy kandidat, kandidatët me numrin më të madh të votave do të zgjidhen si Nënkryetarë të BSPK-së;

6.    Përcjellë zbatimin e detyrave të caktuara nga Këshilli Drejtues dhe Kryesia Ekzekutive, sipas ndarjes sektoriale;

7.    I ndihmojnë Kryetarit të BSPK-së në punët e përditshme dhe detyrat që ai i angazhon;

8.    Për punën e vet i raporton Kryetarit të BSPK-së dhe Kryesisë Ekzekutive, ndërsa i përgjigjen Këshillit Drejtues të BSPK-së.


 


Neni 29


Trupat organizative të BSPK-së

 

 

1.Komisioni për Auditim të Brendshëm;

2.Komisioni Statutar;

3.Komisioni për Zgjidhjen e Kontesteve;

4.Komisioni Disciplinor.

 

 


Neni 30


Komisioni për Auditim të Brendshëm i BSPK-së

 

 

  • -Komisioni për Revizion dhe Kontroll Financiar përbëhet prej 5 (pesë) anëtarëve, të zgjedhur në Këshillin Drejtues;
  • -Kryetari i Komisionit duhet të jenë me pregaditje adekuate profesionale, nga lëmi përkatëse,
  • -Komisioni zgjedhë Kryetarin, nga radhët e anëtarëve të tij,
  • -Komisioni i zhvillon mbledhjet nëse prezantojnë shumica e anëtarëve,
  • -Komisioni është i obliguar që të mblidhet të paktën një herë në vit, për të kontrolluar të hyrat dhe të dalat e mjeteve financiare në BSPK-së.

 

 


Neni 31


Detyrat e Komisionit për Auditim të Brendshëm

 

 

1.Komisioni përcjell zbatimin e politikave të definuara financiare në BSPK-ë,

2.Bënë kontrollimin e dokumentacionit financiar të BSPK-së,

3.Kontrollon librat e kontabilitetit te BSPK-së, një herë në vit apo me kërkesën e Kryesisë së BSPK-së,

4.Komisioni vepron në mënyrë te pavarur,

5.Shërbimi Profesional i BSPK-së është i obliguar ti prezantojnë dokumentacionin e kërkuar Komisionit në formën të cilën ai kërkon,

6.Komisioni jep sugjerime për çështje të caktuara në përputhje me rregullat e kontabilitetit dhe ligjet në fuqi,

7.Për punën e vet i raporton Këshillit Drejtues në formë të shkruar, të paktën një herë në vit,

8.Komisioni vendosë me shumicën e votave dhe punon në bazë të Rregullores së punës,

9.Anëtarët e Komisionit nuk mund të jenë në të njëjtën kohë pjesë e Këshillit Drejtues, Kryesisë Ekzekutive apo çfarëdo organi tjetër të BSPK-së. 

 



Neni 32


Komisioni Statutar i BSPK-së

 

 

  • -Komisioni Statutar përbëhet prej 5 (pesë) anëtarëve, të cilët zgjedhën nga Këshilli Drejtues.
  • -Kryetari i Komisionit Statutar  duhet ta kenë  pregaditjen adekuate profesionale, nga lëmi përkatëse,
  • -Komisioni zgjedhë Kryetarin, nga radhët e anëtarëve të tij,
  • -Komisioni i zhvillon mbledhjet nëse prezantojnë shumica e anëtarëve,
  • -Mbledhjet e Komisionit mbahen sipas nevojës së paraqitur.



Neni 33


Detyrat e Komisionit Statutar

 

 

1.Mbikqyrë harmonizimin e dispozitave të Statuteve të Sindikatave/Federatave me dispozitat e Statutit të BSPK-së,

2.Siguron spastrimin e tekstit të Statutit me vërejtje dhe ndryshime, të miratuar në Kongres,

3.Gjatë punës së tij Komisioni mund të kërkojë nga Sindikatat/Federatat, apo organet tjera të BSPK-së, që të kthejnë përgjigje për çështje të caktuara, në periudhën brenda 8 ditësh,

4.Komisioni vepron sipas kërkesës së Këshillit Drejtues, Kryesisë Ekzekutive dhe Kryetarit të BSPK-së,

5.Komisioni për punën e tij i përgjigjet Këshillit Drejtues,

6.Komisioni vendosë me shumicën e votave dhe punon në bazë të Rregullores se punës,

7.Anëtarët e Komisionit nuk mund të jenë në të njëjtën kohë pjesë e Këshillit Drejtues, Kryesisë Ekzekutive apo çfarëdo organi tjetër të BSPK-së.

 


Neni 34


Komisioni për Zgjidhjen e Kontesteve

 

 

  • -Komisioni për Zgjidhjen e Kontesteve përbëhet prej 5 (pesë) anëtarëve, të cilët i zgjedhë  Këshilli Drejtues,
  • -Komisioni zgjedhë Kryetarin, nga radhët e anëtarëve të tij,
  • -Komisioni mund ti zhvillojë mbledhjet e tij nëse në te prezantojnë shumica e anëtarëve,
-Mbledhjet e Komisionit mbahen sipas nevojës së paraqitur

 

 

Neni  35


Detyrat e Komisionit për Zgjedhjen e kontesteve

 

 

1.Zgjedhë kontestet e natyrave të ndryshme duke u mbështetur në Statutitin e BSPK-së,

2.Vepron në bazë të parashtrimit të kërkesave nga palët e interesuara në kuadër të BSPK-së,

3.Palët e pakënaqura me konkludimet e Komisionit mund të kërkojnë fillimin e procedurës pranë  Këshillit Drejtues i cili merr vendimin përfundimtar,

4.Gjatë punës së vet Komisioni mund të angazhojë ekspert të lëmit përkatëse me qëllim të zgjedhjes së drejtë të kontestit,

5.Organet e BSPK-së dhe të Sindikatave/Federatave janë të obliguara që tu japin ndihmë Komisionit në formën që ai kërkon,

6.Komisioni për punën e tij i përgjigjet Këshillit Drejtues,

7.Komisioni vendosë me shumicën e votave dhe punon në bazë të Rregullores se Punës,

 

8.Anëtarët e Komisionit nuk mund të jenë në të njëjtën kohë pjesë e Këshillit Drejtues, Kryesisë Ekzekutive apo çfarëdo organi tjetër të BSPK-së


 


Neni 36


Komisioni Disciplinor

 

 

  • -Komisioni Disiplinor përbëhet prej 3 (tre) anëtarëve, të cilët zgjedhën nga Këshilli Drejtues,
  • -Në mbledhjet e komisionit Disiplinor merr pjesë edhe Juristi i Shërbimit Profesional të BSPK-së,
  • -Komisioni zgjedhë Kryetarin nga radhët e anëtarëve të tij,
  • -Komisioni i zhvillon mbledhjet nëse prezantojnë të gjithë anëtarët e tij,
  • -Komisioni vendos në shkallë të parë,
  • -Kundër vendimit të Komisionit, pala e pakënaqur mund të paraqesë ankesë pranë Kryesisë së BSPK-së,
-Mbledhjet e Komisionit mbahen sipas nevojës së paraqitur




Neni 37

 

1.    Objekt i masave disiplinore mund të jenë të punësuarit në Shërbimin Profesional të BSPK-së, në këto raste:

a.    Nëse kanë bërë shkelje të detyrave dhe përgjegjësive nga marrëdhënia e punës,

b.    Në rast të sjelljeve të këqija në vendin e punës, mospërmbushjes së kënaqshme të punëve dhe detyrave të punës, mungesës pa arsye nga puna për tri ditë radhazi,

c.    Sipas fletëparaqitjes të ushtruar nga ana e udhëheqësit të tij,

d.    Në rastet tjera të parapara në Rregulloren mbi sistemimin e vendeve të punës të BSPK-së.

 

 

Neni 38 


Financimi i BSPK-së

 

 

BSPK-ja financohet nga:

 

  • -Kuotizacioni i anëtarësisë sindikale;
  • -Donacionet;
  • -Ndihmat;
  • -Mjetet e fituara;
  • -Mjetet tjera që nuk janë në kundërshtim me dispozitat ligjore.



Neni 39


1.    Pasurinë e BSPK-së e përbëjnë mjetet e grumbulluara nga kontributet e anëtarëve të saj, si dhe e gjitha pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të cilën e ka fituar, trashëguar apo blerë kudo që ndodhet ajo.

2.    BSPK mund te formojë njësi ekonomike, të cilat menaxhohen nga organet e saj.




Neni 40
 

1.    Të punësuarit e anëtarësuar në Sindikatat/Federatat e BSPK-së, duhet të paguajnë anëtarësinë në shumën prej 1% të pagës neto.

2.    Anëtarët e BSPK-së paguajnë kuotën e anëtarësisë në BSPK në pajtim me Nenin 10, paragrafi 2, pika a, të këtij Statuti.

3.    Kuota e anëtarësisë sindikale paguhet një herë në muaj, atje ku janë të organizuar të punësuarit dhe në bazë të kësaj i realizojnë të drejtat e veta sindikale,

4.    Distribuimin proporcional i kuotës bëhet në mënyrë të drejtpërdrejt në konton përkatëse të BSPK-së.



Neni 41


Shërbimi Profesional i BSPK-së

 

 

1.    Shërbimi Profesional i BSPK-së kujdeset për kryerjen e punëve profesionale në interes dhe për nevoja të BSPK-së,

2.    Shërbimi profesional përbëhet nga këto sektorë:

 

  • -Profesional Ligjor;
  • -Financiar Ekonomik;
  • -Informimit dhe teknologjisë informative;
  • -Për marrëdhënie me jashtë;
  • -Administrativo - teknike.

3.    Puna e Shërbimit Profesional përcaktohet me Rregulloren mbi Funksionimin e Shërbimit Profesional të BSPK-së.

 


Neni 42


Dispozitat kalimtare

 

 

1.    Statuti është akti më i lartë juridik i BSPK-së dhe hynë në fuqi pas miratimit të tij nga delegatët e Kongresit dhe nënshkrimit nga Kryetari i BSPK-së.


 


Neni 43


1.  Sindikata/Federata për të qenë anëtare e BSPK-së, paraprakisht duhet të jetë e regjistruar pranë organit kompetent për regjistrimin e sindikatave;

 

2. Sindikatat/Federatat obligohen që të bëjnë harmonizimin e Statutit të tyre me këtë Statut, në një periudhë kohore brenda 90 ditësh nga dita e hyrjes në fuqi e këtij Statuti.

 

 


Neni 44


Vlefshmëria e këtij Statuti

 

 

1.Me ketë Statut rregullohet mënyra e organizimit dhe fushëveprimit të organeve të BSPK-së,

2.Statutet e Sindikatave/Federatave nuk mund të jenë në kundërshtim me parimet themelore të Statutit të BSPK-së,

 

3.Iniciativën për ndryshim apo plotësim të Statutit mund ta inicion Kryetari i BSPK-së, Këshilli Drejtues dhe Kryesia e BSPK-së.

 


Neni 45

 

Sqarimin e dispozitave të këtij Statuti e bënë Komisioni Statutar dhe Kongresi i BSPK-së.

 


Neni 46



Ky Statut hynë në fuqi ditën e miratimit dhe nënshkrimit nga Kryetari i BSPK-së.

 


 

Prishtinë,                                                                          Kryetari i BSPK-së

 

02.12.2011                                                                       Haxhi Arifi



 

Konkurs për punësim!
Për momentin nuk ka konkurs të hapur për vende pune në BSPK.